Wednesday, March 13, 2013

Nisma "TROTUARE TE LIRA NE TIRANE"

Kjo nismë është krijuar për të adresuar problemin e bllokimit të trotuareve dhe vijave të bardha nga makina të parkuara, duke penguar kështu lëvizjen e lirshme të kalimtarëve nëpër rrugë dhe në veçanti të të sëmurëve paraplegjikë, të moshuarve, prindërve që lëvizin fëmijët me karroca.

Ne kuptojmë vështirësitë e parkimit në Tiranë, duke qenë se shumë nga bashkëpunëtorët tanë janë shoferë, por besojmë se ata qytetarë të cilët parkojnë në trotuare apo në vijat e bardha për kalimtarët harrojnë pasojat që ka ky qëndrim për qytetarët e tjerë të komunitetit dhe sidomos ata më në nevojë. Përmes nismës tonë ne do i kujtojmë ata në çdo moment që shkaktojnë vështirësi për të tjerët që të sensibilizohen dhe ndërgjegjësohen për të mos parkuar në rrugët ku ecin kalimtarët.


Konkretisht, ne ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës të bëhen pjesëmarrës në nismën tonë duke vendosur në xhamat e makinave të parkuara në trotuare apo në vijat e bardha fletë të bardha me tekstin e mëposhtëm:


"I/e nderuar qytetar, 


Ju kujtojmë se vendi ku keni parkuar është i përcaktuar për lëvizjen e kalimtarëve, paraplegjikëve, fëmijëve me karroca dhe qytetarëve me çanta me rrota. Duke parkuar këtu Ju i hiqni të drejtën për të lëvizur lirshëm qytetarëve të tjerë dhe një pjese prej tyre i mohoni mundësinë për të dalë në rrugë (ata që lëvizin me karroca). Do kërkonim mirëkuptimin tuaj për të mos parkuar këtu dhe për të ndihmuar në një bashkëjetese më të mirë si qytetarë të Tiranës. 


Ju faleminderit.


Komuniteti i Qytetarëve të Tiranës"


Ne kërkojmë mirëkuptimin tuaj si qytetarë që të kontribuoni personalisht për përgatitjen e këtyre fletëve dhe më pas t'i mbani ato në çantë/xhep dhe t'i shpërndani kur të shihni makina që bllokojnë kalimin e lirshëm të kalimtarëve. Jemi të sigurtë se të gjithë sëbashku, si komunitet, do ndikojmë në ndërgjegjësimin e komunitetit për eleminimin e këtij shqetësimi.



Pas ndërmarrjes së këtij hapi të parë për të ndërgjegjësuar qytetarët në lidhje me këtë problematikë, programi do krijojë një grup pune që do punojë bashkë me qytetarët për identifikimin e mungesës së pjesëve të ulëta (pedonaleve) nëpër trotuare si edhe për fshirjen e vijave të bardha. Dokumenti që do pasqyrojë këto problematika që pengojnë lëvizjen e lirshme të qytetarëve do dërgohet në Bashkinë e Tiranës pranë zyrave përgjegjëse për zgjidhje.


Informacioni për nismën do të përditësohet vazhdimisht me zhvillimet e reja në lidhje me veprimtaritë e saj.

No comments:

Post a Comment